Qime

Humbi “për qime” !
Fitoi “për qime” !
Po, por del pyetja; A ishte e njëjta qime ? Apo, secili qimen e vet, dhe qime ishin dy ?
Varianti me një qime është i thjeshtë. Ndërsa dy qime të hedhin në një kaskadë arsyetimesh që ndërlikohen progresivisht, sa, ku, po u fute, zor se del dot.
Prandaj, le të merremi me variantin më të thjeshtë, atë me një qime.
Qimja, në thelbin e vet, nuk ka ndonjë gjë për tu habitur. Se dihet që qimja dhe habia nuk rrinë kurrë bashkë; Ku ka qime s’ka habi’. Ku s’ka qime ka habi’. Kjo, jo vetëm gjatë betejave tona elektorale, por me betejat në përgjithësi. Historia e luftrave është e tëra plot me qime. Që nga lufta e Trojës. E cila luftë, për një qime femre nisi, për një qime kali mbaroi.
Por le t’i lëmë mënjanë qimet e dynjasë, se me to ka kush merret, dhe të kthehemi aty ku e lamë, tek qimja jonë.
Qimja jonë këtë herë nxorri në pah rolin e madh të gjërave të vogla të cilat i nënvleftësojmë, gjithaq sa edhe rëndësinë e vogël të gjërave të mëdha, për të cilat aq shpesh, sa kot frigohemi, po aq kot edhe entuziasmohemi.
Prandaj, për këto dhe të tjera, një rikonsiderim i qimes, kësaj telendareje me nam, që sa më elegante të jetë, aq më e rrezikshme bëhet, rikonsiderim ky që do na vlente sadopak për tu ruajtur nga qime-qametet gjatë qime – sfidave të ardhëshme elektorale, në këto ditë dramatike pas zgjedhore, sot më tepër se kurrë, është më se i domosdoshëm.
Këtu e në vazhdim, duke mos pretenduar të jetë ndonjë njohës me rrënjë i shkencës së qimelogjisë, dhe rrjedhimisht as ndonjë qimelog kushedi se çë, por asgjë më tepër se një qime njohës si gjithë të tjerët, me qëllimin e vetëm që gjatë qime-betejave të ardhëshme të ndihmojë sa të jetë e mundur, si qime-fitimtarët po ashtu edhe qime humbësit, i nënëshkruari, nuk pretendon më tepër se shtrimin e problemit. Madje edhe këtë, vetëm në formën e një kontributi fare modest, dhe aspak, rujna Zot, shterrimin e çështjes. Kjo sepse, si e thamë në krye, problemi në dukje i vogël i hallemadhes qime, në të vërtetë nuk është as i vogël as i thjeshtë, por përkundrazi, tejet i gjërë, dhe pafundësisht i komplikuar. Shkurt, problemi QDMZ (Qime Diference Minimale Zgjedhore), ngërthen në vetvete një gamë të gjërë çështjesh për tu shqyrtuar, si dhe shtrimin e një sëre qime-pyetjesh plot qime që presin përgjigje. Por s‘është për tu trembur, dekurajuar, apo tërhequr nga lodhjet për njohjen e qimes dhe qime – derivateve sepse po shktrokemi vetëm pyetje. Pasi, fatmirësisht kemi qime – mendimtarë me qime – nam me njohuri të mjaftueshme dhe të teprueshme për ta shpënë në fund nismën me qime në fjalë. Janë ata që dalin në fotografi me grusht nën mjekrrën me qime a pa qime dhe gisht tregues në tamth. Si dhe ata të tjerët që gjatë bisedave televizive mes dhëmbëve të qenit kafshojnë mendueshëm skajin e bishtit të syzeve.
Së pari, bie në sy një gjë; Të humbasësh a të fitosh për një qime ! A s‘është kjo rrënqethshmërisht e ngjajshme me; Fare pak i gjallë, fare pak i vdekur, fare pak me barrë ?!
A ishte qimja jonë e diferencës minimale që aq na tronditi, qime e drejtë, e shtruar, e urtë, pra një qime paqësore e bindur ? Apo ishte qime zevzeke, tekanjoze, pra një qime kaçurrele nevrike ?
Pa marrë parasysh ngjyrën, qime bardhë, qime zezë, apo qime kuqe, si dhe qasjet me karakter animalistik, qime qen, qime derr, qime ujk, dhe duke j’u futur paksa origjinës; Nga cila zgavër erdhi ajo qime ? Është e rëndësishme të dihet. Sepse zgavrat e leshta nga vjen qimja nuk janë të gjitha njësoj të pastra. Nuk është e njëjta gjë të fitosh a të humbësh, ta zemë, si për një qime të praruar të pastër të poshtëme dhe për një qime të epërme koke të pisët. Si dhe nuk është dallim i vogël të kesh të bësh me, nga njëra anë, një qime kërthize, dhe, nga ana tjetër, një qime sqetulle.
Tjetra, që edhe kjo lidhet deridiku me origjinën e qimes apo zanafillën e saj dhe duhet mbajtur mirë parasysh; Qimja në fjalë, ishte e shkulur apo e rruar ?
Qimja e shkulur, meqënëse pas shkuljes jeton edhe ca, mund të përdoret edhe më. Me fjalë të tjera; Qimja e shkulur mund të përdoret si qime që lodhet dhe djersit, pra punon, dhe sidomos urdhërohet dhe bindet, pra jo qime qefi.
Ndërsa qimja e rruar, ajo e cila qysh nga momenti i kalimit të briskut, duke mos patur më rrënjë është e vdekur, nuk mund të vlejë veçse për të thurur produkte me qime të vdekura. Pra qimja e rruar, duke mos qënë qime qefi, nuk mund të jetë më tepër se qime qilimi, ja e shumta qime sahati.
A është qimja jonë zgjedhore, qime që bëhet tra ? Kjo pyetje është tejet e rëndësishme. Prandaj, para se të japin përgjigjen e kësaj pyetjeje, duhet të mendohen mirë, jo vetëm ata me gisht në tamth, por edhe ata me gisht kudo. Sepse, si çdo gjë edhe qimja, nuk mund të ketë ekzistencë të njëtrajtëshme kohore. Me kalimin e kohës, zgjedhore apo jo zgjedhore, qefi apo jo zori,, një nga të dyja, qimja ja hollohet, ja trashet. Nëse hollohet pafundësisht, gjithçka shkon fatalisht drejt një misteri edhe më të errët se vet’ qimja, andej nga është shkulur, rruar, rënë natyralisht, me fjalë të tjera andej nga ka dalë, pra drejt humbjes përfundimtare, dhe pyetje s’ka. Nëse trashet pafundësisht, meqënëse gjithçka ka një kufi, qimja nuk mund të bëhet më tepër se tra, dhe del pyetja; Mbi cilin tavan duhet gozhduar ajo qime, që tavani të mos bjerë dhe qimja të zërë brënda njerëzit e shtëpisë ? Apo, mbi cilin përrua duhet vendosur si pasarelë, që njerëzia të kalojnë mbi të pa merak se do t’i marrë lumi për një qime ?
Pa folur për moshën e qimes dhe rregullsinë e saj, që mund të jetë, si qime qëmoti e krehur dhe qime e re e shpupurisur, ç‘ka pak rëndësi ka, pra duke mbetur tek rëndësia e formës dhe përmbajtjes së qimes në vetvete, prerja tërthore e saj, rrethore apo shumëkëndore, është një mister më vete ende i pa studjuar sa duhet. Dhe gjithmonë sa i përket formës dhe përmasave, si dhe harmonisë mes të dyjave, pra e parë në një këndvështrim, pse jo, estetik, mund të thuhet me siguri se; Qimja është koni elastik më elegant, më i bukur, më marramendës, që ekziston mbi dhe’. Me bazën në tru, majën e derdhur mbi një nga regjionet më erogjene të trupit që është fundi i kurrizit, koni madhështor i quajtur qime, botën mbarë e bën të dridhet.
Lidhur me gjatësinë e qimes; Qimja nuk duhet të jetë fort e shkurtër, sepse s’prek asgjë, pra s’kryen asnjë punë. Dhe as fort e gjatë, se mund të ndodhë që gjatë kuturisjeve të teposhtëme drejt Qefit, duke u mbështjellë e çpështjellë rrëmujshëm me shoqet e saja, mund të përfundojë në qullin proverbial, dhe s’ka kush e nxjerr ngaqë askush s’ka gishta aq të hollë, a në gjellë, prej nga përsëri s’ka kush e nxjerr, sepse të neverit dhe të bën për të vjellë.
Shqyrtimi i qimes qime për qime t’i ngre qimet përpjetë.
Duhet pasur parasysh se gjith’ sa thamë ishin të bazuara mbi supozimin se edhe për fitimtarët edhe për humbësat qimja jonë qe 1. Nëse qimet qenë 2, hesapi ngatërrohet dhe s’po i futemi. Se pastaj s‘është më fjala për qime, por për lesh.

Dërgoja një miku