Presidenti

Që shqiptarët i bëjnë punët e mira keq dhe punët e kqia mirë, kjo dihet. Dihet, por duhet të bëjmë diçka vetë, e jo të presim duarkryq që kjo prirje perverse të ndryshojë me urdhërin e Allahut.
Pas pak do zgjedhim Presidentin e ri.
Ta shfrytëzojmë këtë rast për ta nisur ndryshimin e tendencës fatkeqe duke bërë kujdes të zgjedhim një President të mirë.
Presidenti ynë, me Kushtetutë, nuk ka ndonjë pushtet të madh. Por përvoja e ka treguar se nga një President i pa përshtatshëm na gjen belaja. Prandaj Presidenti i ri, nuk duhet të jetë si të deritanishmit, faktor sherri dhe ndarjeje, por faktor paqeje dhe bashkimi. Pra duhet të zgjedhim patjetër President të mirë. Se po e zgjodhëm të keq, nuk do jetë presidenti ynë por president i vetes së vet, president kopil, që do na mbetet pesë vite në derë. Se një President kopil, s‘është problem ta zgjedhësh, është problem të gjesh vinç ta shkulësh.
Një kandidat të mirë për President, pra një kandidat të rrënjosur që kurrkujt s’i vete mendja për ta shkulur, unë e kam gjetur.
Kandidati im është më i miri ndër të gjitha kanditaturat e imagjinueshme. Aq i mirë, sa edhe sikur lugati të ngrihet nga varri, nuk do mundet t’i verë dot në dukje asnjë të metë, nuk do mund të thotë dot një fjalë të keqe kundër tij.
Ai tek, i cili më ka vajtur mendja mua, është më i urti, më i sjellshmi, më i qeti, më i edukuari.
Ai nuk ka asnjë grykësi për pushtet, as të shprehur as të fshehur. Për sherr me Kryeministrin as që bëhet fjalë. Për konflikte me Kryprokurorin apo Kryeprokuroren, as që i vete mendja. Për kryetarin e Shërbimit informativ as që e di se ekziston. Për shitjen e vendeve të punës në sistemin e Drejtësisë, ta zemë, për gjyqtarë apo prokurorë, s’ka asnjë ide.
Është edhe i përkorë kandidati im, që kënaqet me pak, që nuk ka asnjë ves. Nuk i kërkon kurrkujt kurgjë. Nuk i bie në qafë askujt për asgjë. Nuk është makut as për të ngrënë as për të pirë, as për tu veshur as për tu mbathur. Nuk pi raki dhe nuk dehet kurrë. Madje as kafe dhe as lëngje freskuese nuk pi. Duhanin gjithashtu e ka shumë zët.
I zgjedhuri im për President është i pa komprometueshëm, i pa kompromentuar, i pa korruptueshëm, i pa korruptuar, dhe, mbi të gjitha, jo korruptues. Atij nuk i vete mendja për dallavere me kthime pronash dhe privatizime korruptive, as për vete, as për të tjerë. Me sëpatë t’ja presësh kokën, meazallah se bën gjëra të paligjëshme. Urren servilët, sahanlëpirësit, ryshfetmarrësit, si dhe natyrisht spiunët që i vijnë rrotull.
Po u vu President ky që them unë, ky që as jep as merr ryshfet, gjatë mandatit të tij s’ka për të ndodhur kurrë që në presidencë apo kudo tjetër të punësojë shokë e miq të tarafit apo të interesave, por vetëm njerëz të zgjedhur sipas kritereve më të rrepta meritokratike.
Është dhe i moralshëm. I martuar, me familje, me fëmijë. Por pa dashnore apo dashnor, që do t’ja nxinin disi karrierën, dhe sidomos pa fëmijë të jashligjshëm. Për këtë, unë dhe të gjithë ata që e njohin kandidaturën time, e vemë, jo vetëm dorën në zjarr, por edhe kokën tek trungu i kasapit.
I gjallë, energjik, vizionar që sheh lart e larg atje ku të tjerët nuk mundin, janë cilësira të tjera plotësuese për atë xhanan burrë që mua më ka vajtur mendja për ta bërë me çdo kusht President.
Kandidatura ime për President njeh mirë Shqipen. Me të gjitha nuancat dhe sfumaturat. Të cilën, jo vetëm e flet bukur, por mban edhe fjalime fantastike. Të të gjitha llojeve. Të heshtura, kërrcitëse, pëshpëritëse, fëshfëritëse. Me përmbajtje nga më të larmishmet. Politike, diplomatike, urbanistike, të rendit, mbrojtjes, ekonomisë, ekologjisë, etj. etj. të cilat fjalime – po pate vesh t’i dëgjosh – mahnitesh. Nga ana tjetër, Presidenti që unë propozoj, jo vetëm që flet e këndon bukur, që është gjysma e punës, por ai, kur lypset, zotëron mrekullisht edhe gjysmën tjetër, aftësinë për të të heshtur, për të menduar, reflektuar, po të jetë nevoja, edhe me vite pa e nxjerrë një fjalë nga goja.
S‘është çudi që cilësitë e mësipërme, dikujt apo disave, t’i fusin frikën, t’i bëjnë skeptikë për zgjedhjen t’ime duke menduar, ndoshta edhe dyshuar, se Presidenti që unë po propozoj me cilësi vetëm të mira mund të jetë ndonjë palluqe pa pikë shije, ndonjë burrë pa kripë, burrë i distiluar, si uji i shiut që s’pihet. I siguroj skeptikët se sështë ashtu. I propozuari në fjalë ka edhe cilësi të tjera, si të thuash, deheroizuese. Për shembull, ai di të përkulet, të bëjë temenara në të gjitha stilet dhe mënyrat, sa herë e lyp nevoja si dhe të kthehet me përpikmërinë më të madhe andej nga fryn era. E jo vetëm. Por kandidatura ime për kreun e shtetit di t’i bëjë fresk dhe hije më mirë se çdo ventilator apo klimatizator gjithkujt që atij atë shërbim j’a lyp.
Në fakt, për shkak të zhurmës që po bëjnë këmborët e mediave për kandidatët e tyre, ka rrezik të mos dëgjohen zilkat e mia për kandidatin t’im. Dhe ndoshta, mu për këtë shkak, kandidatura ime mund të ngrerë edhe dyshime se po gënjej. Por unë nuk epem. Sepse ky kandidat kaq të mirë për president nuk është pjellë e fantazisë t’ime, ai ekziston.
Ekziston pra, por që të jem i sinqertë, argumentues dhe bindës deri në fund, ja ku po shtoj edhe diçka tjetër; Se kandidati im, duke mos qënë as Skënderbe, as Ali Pashë, as Ismail Qemal, as kurv, pra duke mos qënë aspak mit i ndritur i sajuar, por realitet i papërsosur, bën edhe budallallëqe. Si, për shembull, në vjeshtë, kur të gjithë nisin e mërdhifin e veshin rrobat, kandidati im nis të ketë vapë dhe rrobat i çvesh. Dhe në pranverë, kur të gjithë nisin të kenë vapë dhe rrobat i heqin, ai nis të mërdhifi dhe rrobat i vesh.
Kandidatin t’im, atë që që është i vetmi në botë që po të zgjidhet do t’i bëjë të lumtur dhe të flenë rehat pa përjashtim të gjithë shqiptarët; djathtista majtista, komunista, të përndjekur, burra e gra, djem e vajza, të rinj e të vjetër, të sëmurë e të shëndetshëm, budallenj e të mënçur, pra kandidatin t’im që i plotëson të gjitha kushtet për President, jo të një, por të gjitha mandateve presidenciale, unë e njoh mirë, e takoj përditë, është në oborrin t’im, është një plep.

Dërgoja një miku