Unë nuk vuaj më. Unë tashmë di. Si zgjidhen problemet, si përballohen hallet, si të mos më ndali zemra, si të mos më bjeri damllaja. Mua tani e tutje ka ku më shkon dora. Te koburja. Të cilën e mbaj gjithmonë me vete. Kudo ku jam, kudo ku vete, koburen kurrë s’e ndaj, koburen gjithmonë e shkrep, dhe frikë aspak nuk kam.
Ka ca që thonë se qeveritë tona nga ’91-shi e tëhu nuk janë qeveri demokratike por “regjime”. Para këtij pohimi mua më ngrijnë gjymtyrët, më erren sytë, më shurdhohen veshët, më mpihet mëndja. Këtyre që thonë këtë unë nuk lodhem t’i bind, se Shqipëria e sotme nuk është si Shqipëria e kurvit, Rusia e Stalinit, Italia e Musolinit, Gjermania e Hitlerit, Kina e Mao Ce Dunit. Kur dëgjoj këta, mua dora më vete menjëherë tek koburja. Nxjerr koburen, dhe pa u dhënë asnjë spjegim, ua shkrep mu në ballë.
Ka të tjerë që thonë se vdekjet e 21 janarit janë vrasje politike. S’rri unë të flas me ta e ti bind se pas atij 21 janari për 21 milionë vjet nuk do ndodhi më kurrë që për të ardhur në pushtet zagarët e qëndrës të vriten në shesh gjyhnaqarët e provincës. Jo-jo, unë edhe me ata nuk e zgjas, unë edhe me ata bëj të njëjtën gjë; Dora te koburja, gishti te këmbëza, bam në njërin tamth, bum në tamthin tjetër.
Ose me ca të tjerë që hiqen për majtista idealistë, për progresista të thekur. Por mjafton të bësh vetëm pes’ minuta muhabet me ata pisa dhe e kupton që edhe majtizmi edhe progresi edhe ideali i tyre dhe të gjitha broçkullat e tjera nuk janë asgjë tjetër përpos porosi etërish kriminelë të pa nginjur me gjak, propagandë kurviste e marrë me qumështin e nënës. Edhe me këta teoricinë të kurvizmit provincial ambalazhuar me snobizëm metropolitan, unë bëj të njëjtën gjë. Gup, me kobure mu në brim të veshit, top në vend.
Me ata që flasin keq për dëshmorët e vërtetë të Shqipërisë që janë diversantat, veproj pak më ndryshe. Kur më dalin përpara ata ndyrësira që s’dinë se ç‘është atdhedashuria, pasi njëra dorë më vete dora te koburja, me dorën tjetër afroj një stol. Hipi mbi stol, dhe ua zbraz koburen mbi kokë. E bëj këtë që tu kujtoj aeroplanët, parashutat, që siç dihet ishin sende që vepronin nga lart.
Disa të tjerë që i vras me koburen time janë ca që thonë se diktaturën shqiptare e sajuan partizanët e kurvit në bashkëpunim me Anglinë. Këtyre koburen unë ua zbraz nga mbrapa, në një vend që s’thuhet.
Me ata që bëjnë gam-gam në kafene dhe nuk venë në Prokurori për të denoncuar korrupsionin dhe të tjera dreqnira, veproj kështu; Pasi dora më vete dora te koburja, u afrohem nga mbrapa, ua vë tytën nga pas në zverk, dhe i urdhëroj; “Nisu qenbirqeni në Prokurori. Mos e kthe kokën pas. Po e ktheve ta zbraza”. Këta tipa janë frikacakë. Nuk e di se çfarë bëjnë pasi zhduken tek kthesa, ikin a s’ikin në Prokurori. Por të paktën unë lirohem dhe ata frikësohen.
Me zagarët që thonë se Shqipëria po fukarallepset e kam më të lehtë. Atyre u zë pusi’ kur janë duke ngrënë si derra në ndonjë restorant. Ata sapo shohin dorën time te koburja, zverdhen, ngrihen në këmbë, ngrenë duart lart si nëpër filma. Këtyre tytën e kobures ua rras brenda në gojën plot me mish, dhe aty ua zbraz.
Me koburen time, ku shpesh më vete dora, unë zgjidh edhe probleme të tjera; Thaj gjymtyrë, thyej brinjë, bluaj kocka, çaj kafka, ndal zemra, plagos shpirtra, sëmur mushkëri, bllokoj gjëndra, shqyej kraharorë, ndez ëndërra, turbulloj tru, shkaktoj epilepsira, shëroj tiroida, normalizoj hypofiza.
Problemi është se koburja ime është kobure uji.